Agim Bajrami, lindi më 12 shkurt 1964 në Stagovë të Kaçanikut. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Kaçanik.
Agim Bajrami ishte pjesëmarrës aktiv dhe organizator i demonstratave të Pranverës Shqiptare të vitit 1981. Në vitin 1988, kur ishte në AJ ai do të dënohet me 5 vjet burg, prej të cilave i mbajti 3 vjet. Në fund të vitit 1991, për shkak të veprimtarisë atdhetare detyrohet të lëshoje atdheun. Edhe larg atdheut, në Zvicër, nuk pushoi veprimtarinë atdhetare për lirim e bashkim kombëtar.
Me eskalimin e Luftës çlirimtare në pranverën e vitit 1998, ai së bashku me Hashim Thaçin, Fehmi e Xheve Lladrofcin, Shukri Bujen etj.,vijnë në Kosovë. Pas shumë luftimeve në Grykë të Caralevës, Jezerc etj., me vendim të SHP të UÇK-së, dërgohet në rrethinën e Kaçanikut, me nofkën e luftës "Zefi", për të formuar njësitet e para të UÇK-së. Pas formimit të njësiteve të para në fshatrat: Kovaçicë, Bicec, Stagovë, Duraj, Gabrizë etj.,
SHP e emëroi Agim Bajramin - "Zefin" komandant të formacionit të UÇK-së për rrethin e Kaçanikut. Në verën e vitit 1998, Agim Bajrami me njesitin e tij merr pjesë në luftimet në Jezerc. Më 9 gusht të vitit 1998, ai së bashku me Xheladin Kurtajn dhe Besnik Begunca, marrin rrugën për në fshatrat e Kaçanikut, me qëllim zgjerimin e radhëve të UÇK-së atje.
Në mëngjesin e 10 gushtit, në fshatin Gabrize, në shtëpinë e Miftar Kurtajt, ata u gjetën të rrethuar, ku në luftim e sipër bien heroikisht. Rënia e Agimit me shokë, padyshim se ishte humbje për UÇK-në, por njëkohësisht ishte një paralajmërim i një fitoreje të madhe.