Halit Asllani

18 mars 1961 - 29 maj 1998


SHFAQ


BURIMI

http://skendernitaj.blogspot.com/2015/01/halit-asllani-ra-heroikisht-ne-mbrojtje.html

Halit Asllani

18 mars 1961 - 29 maj 1998

Të shumtë janë ata djem të Kosovës, qe u flijuan për lirinë e saj, për këto dy vjet lufte. Njëri ndër ta është Halit Asllani nga Brovina e Gjakovës. Haliti, ra heroikisht në mbrojtje të fshatit, në një përleshje të zjarrtë me hordhitë çetnike serbe. Halit Allani, u lind më 18 mars 1961 në fshatin Brovinë te Rekës së Keqe. U rrit në një familje të madhe fshatare, e cila kryesisht merrej me bujqësi e blegtori. Haliti, shkollën fillore e kreu në Molliq, kurse të mesmen në Ponashec e Gjakovë. Studioi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Fillimi i luftës në Kosovë, Halitin e kishte gjetur të gatshëm t’i bashkohej rezistencës së armatosur të popullit shqiptar të Kosovës kundër forcave okupuese serbe, të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në fund të prillit ’98, fronti i luftës ishte përhapur edhe në rajonin e fshatrave te Rekës së Keqe, të komunës së Gjakovës. Të ndodhura në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, këto fshatra edhe do të jene cak i sulmeve të pandërprera të forcave serbe. Halit Asllani me shumë bashkëfshatarë të vet, do të vetorganizohen në mbrojtje të fshatit, fillimisht duke bërë roje, natë e ditë. Haliti ishte ndër organizatorët kryesorë të këtij vetorganizimi dhe të kësaj vetëmbrojtje të fshatit. Ofensiva e fund majit e ndërmarrë nga forcat serbe, kundër fshatrave të Deçanit e të Junikut, nuk do të kursejë as fshatrat e Rekës së Keqe.

Flakët e luftës shumë shpejt do t’i afrohen edhe fshatit Brovinë. Në të gdhirë të ditës së premte, më 29 maj 1998, kishin filluar granatime të fuqishme nga shumë pozicione serbe, edhe kundër fshatit të vogël te Brovinës. Këto granatime, Halitin e kishin gjetur duke bërë roje nate në fshat. Me shpejtësi, kishte organizuar evakuimin e popullatës civile për në drejtim të Nivokazit, Dobroshit e fshatrave të tjera më pak të rrezikuara. Në të njëjtën kohë, nga drejtimi i Ponashecit, fshatit Brovinë ia kishin mërsyer ekspedita ndëshkuese serbe e përberë nga konvoje tankesh, autoblindash e mjete të tjera ushtarako-policore. Haliti bashkë me disa shokë të tij, kishte zënë pozicionet mbrojtëse në hyrje të fshatit.

E madhe, kishte qenë rezistenca e Halit Asllanit në atë ditë të premte maji. I ndihmuar edhe nga shokët Ali Jaha e Zenel Asllani nga Brovina, e Florim Sadria nga Berjaha, si dhe nga vëllai Ramiz Asllani, Haliti ishte përballur me armikun për shumë orë. Në luftimet ballë për ballë, Haliti , me një heroizëm e shkathtësi të paparë, me zemrën e luanit e me minahedhësin e tij të krahut, ishte vërsulur mbi tanket serbe, duke i shkatërruar apo neutralizuar shumë prej tyre. Haliti, kështu, ishte vënë në mbrojtje të fshatit dhe bashkëfshatarëve të tij, përderisa këta evakuoheshin nga fshati për në zona pak më të sigurta, për t’i ikur kështu barbarisë serbe. Pas disa orë luftimesh të pabarabarta, Haliti plagoset për vdekje, nga një predhë e armikut. Tanimë fshatarët ishin evakuuar nga fshati. Vëllai Ramizi dhe shokët e tjerë, arrijnë të tërhiqen së bashku me Halitin e plagosur rëndë, deri në fshatin e afërt, në Nivokaz.

Ashtu siç ishte sypatrembur në betejë, ashtu i patrembur Haliti mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas vetes amanetin për vazhdimin e luftës deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Halit Asllani, luftoi dhe u flijua për Kosovë, me dëshirën dhe shpresën, qe një ditë Haliti i vogël, që u lind gjashtë muaj mbas vdekjes së të atit, të rritet i lirë në trojet e veta.

BURIMI

http://skendernitaj.blogspot.com/2015/01/halit-asllani-ra-heroikisht-ne-mbrojtje.html