Luan Haradinaj u lind në fshatin Gllogjan të Deçanit në një familje atdhedashëse. Luani ishte njëri nga luftëtarët e parë të UÇK-së. Luani edhe pse i ri qe dalluar në aksionet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës i organizonte dhe ekzekutonte në Rrafshin e Dukagjinit.
Aksionet e Luanit kishin bërë që armiku askund të mos e ndjente vetën të sigurt. Luan Haradinaj, nuk ka qenë vetëm ushtari i orëve të para, themelues i UÇK-së në Rrafsh të Dukagjinit, ai ishte njëri nga aksionistët më të guximshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luan Haradinaj kryente aksione edhe i vetëm mbi stacionet policore armike. Rënien e Luanit të gjithë e kanë pritur me indinjatë të thellë, me zemra të thyera.
Edhe Luani si shumë shokë të tjerë do të bie në kufirin shqiptaro-shqiptar, atje ku gjetën vdekjen shumë luftëtarë të tjerë, që nuk kursyen as jetën e tyre që bashkëluftëtarët e tyre të kishin më se të luftonin. Emri i Luan Haradinajt është emër që në historinë tonë me të re do të shkruhet me shkronja të arta. Luan Haradinaj ishte dhe mbeti nderi i UÇK-së, nderi i kombit.