Dëshmorë i Brigadës, 138 ‘’’Agim Ramadani’’ Zona Operative e Dukagjinit.
Tafil (Veli) Osmani lindi më 04 janar 1971 në fshatin Kçiq i Vogël, komuna e Mitrovicës. Lindi dhe u rrit në një familje e cila shquhej për patriotizëm, kjo familje e cila para disa dekadash nga fshati Kçiq i Vogël u vendos në fshatin Shipol të Mitrovicës, të parët e familjes së tij ishin bashkë luftëtar të Azem Bejtës të cilët në atë kohë luftonin me heroizëm bandat serbe në Kosovë. Babi tij Veliu dhe nënë Shukria kishin gjashtë fëmijë, tre djem dhe tri vajza, Tafili ishte fëmija i pestë i familjes. Si familje ndër breza ishin përherë përkrahës të demonstratave, revoltave, protestave të shqiptarëve kundër regjimit serbë. Vëllai i tij Çerkin Osmani, meqë punonte në Itali, po ashtu dha një kontribut të çmuar dhe ishte aktiv në çështjen kombëtare.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Shipol të Mitrovicës, kurse atë të mesmen në Zveçan të Mitrovicës. Në vitin e tretë të shkollës së mesme, iu deshtë ta ndërprej mësimin, meqë ishte përjashtuar nga shkolla për shkak që në shenjë revolte kishte thyer fotografinë Titos (Jozip Broz Tito), Presidentit të atëhershëm të Jogusllavisë, e cila qëndronte e varur në muret e shkollës.
Në vitin 1990 emigroi në Gjermani, ku qëndroi një vit e gjysëm, pastaj kalon në Itali nga viti 1992 ku qëndroi dhe jetoi atje deri në vitin 1999.
Dashuria dhe malli që kishte për atëdheun e tij ishte e madhe, për këtë mendja i rrinte gjithnjë në Kosovë. Kështu me tu mobilizuar radhët e UÇK-ës, iu përgjigj thirrjes së atëdheut për çlirimin nga okupatori serb, dhe ju bashkua radhëve të UÇK-ës, ku fillimisht u kthye në Shqipëri dhe pas disa ditësh me shumë bashkëluftëtarë të tjerë hyjnë në Frontin e Koshares, ku do të zhvillohej beteja më e lavdishme në historinë e UÇK-ës.
Në ato ditë kur po luftohej për jetë a vdekje, me forcat serbe. Tafili mori pjesë në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, pikërisht në sulmin e ashpër kundër forcave paralimitare serbe në vendin e quajtur ‘’LISAT E ZI’’ në Koshare. Meqë rast në këtë ditë të luftimeve janë vrarë 8 ushtarë serbë.
Tafili ra dëshmor me 06 maj 1999 gjatë tentimit të forcave serbe që t’i kthejnë pozicionet e humbura më parë nga UÇK, meqë rast në këtë aksion Tafili u plagosë nga një zollë që vinte nga ana e forcave paralimitare serbe, kështu Tafili u plagosë rëndë dhemkjo plagë ishte vdekjeprurëse për të.
Ishte shokë i pandarë i dëshmorëve Afrim Gashi dhe Xhaferë Lipoveci. Komandanti i Batalionit IV, Pren Marashi, rrëfen se Tafilin ka qenë shumë e vështirë ta ndalosh që të mos futet në istikamet e armikut serbë dhe se tërë kohën e këndonte këngën patriotike ‘’Besa Besë’’dhe u japte kurajo bashkëluftëtarëve të tjerë.
U varros me nderime të larta ushtarake, më 8 maj 1999 në varrezat e dëshmorëve në qytetin e Bajram Currit në Shqipëri. Rivarrimi ti tij u bë më 23 gusht 1999 në varrezat e dëshmorëve në Koshare, ku edhe tani pushon i qetë në tokën e Kosovës.